Ku të shkojmë?

Cupcakes

Ka gati 10 vite që cupcakes janë një fenomen në SHBA, nga ku më pas u bënë të famshme e morën një hov edhe më tutje. Nuk di të them se sa sukses kanë aktualisht në Evropë sepse...

Ka gati 10 vite që cupcakes janë një fenomen në SHBA, nga ku më pas u bënë të famshme e morën një hov edhe më tutje. Nuk di të them se sa sukses kanë aktualisht në Evropë sepse sa herë udhëtoj në qytete me traditë në pastiçeri, shoh më shumë dyqane të mbushura me macarons dhe eclairs (pasta shu) sesa dyqane me cupcakes, megjithatë janë një produkt që me sa duket pëlqehet ende mjaftueshëm për të populluar rrjetet sociale dhe festat e fëmijëve. Në Tiranë madje më së shumti i kam parë në evente si pjesë e dekorit sesa si ëmbëlsira më vete. Nuk do ndalem për të përshkruar situatën e pastiçerisë këtu, sepse do të shkruaj më gjatë për këtë në një postim të veçantë, por po mjaftohem të them, se në Tiranë nuk gjej dot një pastiçeri të vërtetë. Por lajmi i mirë është që të paktën tani ka një vend ku mund të gjesh cupcakes, cakes, donuts dhe cookies.

Po i refererohem me emrat e tyre origjinalë dhe jo biskota e kekë në kupë, sepse më duket sikur i depersonalizoj po t’i quaj ndryshe…pastaj fundja këto shpikje amerikane janë. 🙂

Pak ditë më parë duke kaluar në bllok vura re një vend të ri, që quhej Cake & Caffeine që më bëri menjëherë pështypje sepse ishte hapur në një nga ato vendet që duket sikur nuk funksionojnë kurrë edhe pse janë në mes të bllokut. Kuriozitetin për këtë vend ma shtuan edhe dy mikeshat e mia, që edhe ato janë shumë të kujdesshme ndaj hapjeve të reja në qytet. Ato më treguan që tortat dhe cupcakes aty u kishin kujtuar atë shijen e vjetër.

Cupcakes të ndryshëm (kryesisht me çokollatë) @Cake & Caffeine

Kështu që shkova dhe provova disa prej tyre. Për hir të së vërtetës unë adhuroj pastiçerinë franceze, dhe gjykimi im do të jetë gjithmonë i dyzuar për shkak të kësaj, por ato çka provova tek Cakes & Caffeine ishin mjaft interesante. Kishte disa shije e kombinime të ndryshme, në formë torte dhe në versionet cupcake, si dhe biskotat e mëdha me copa cokollate të njohura si Chocolate chip cookies, apo edhe disa lloje mini donuts. Ajo që vura re menjëherë ishte që të gjitha produktet ishin përgatitur me gjalpë, ashtu siç duhet të përgatitet rigorozisht çdo ëmbëlsirë, jo me margarinë dhe pana vegjetale (që janë po aq të shijshme sa një çizme gome). E meqënëse unë e tejkalova dozën time të sheqerit, nuk arrita dot ti provoj të gjitha, por më mjaftuan cupcakes dhe cookie për të kuptuar që të paktën ky ishte një vend që i qëndron korrekt “premtimit” për Cake & Caffeine.

[alert style=”warning”] Azhornim 21.02.2018

Meqënëse Cake & Caffeine u mbyll përpara pak kohësh, u interesova për të kuptuar nëse ishin hapur diku tjetër. Në fakt çifti i ri që zotëronte dhe menaxhonte biznesin ishte larguar nga Shqipëria. Nuk i di detajet konkrete por ideja që një biznes i ri, me këmbë në tokë dhe me një koncept simpatik të mbyllet më mërzit shumë. Nga ana tjetër edhe më frymëzon për të gjetur vende të reja dhe për të inkurajuar, sa jemi në kohë, bizneset e reja që tentojnë të sjellin diçka ndryshe.

Kështu këtë herë, u njoha me Lillypop Store që përveç lojrave dhe dhuratave për fëmijë, servir edhe cupcake nga Pastelitos Cake Boutique.

Pastelitos më ka rënë në sy shumë vite më parë prej tortave me dekoret më të bukura dhe të detajuara që kam parë dhe tani më në fund provova diçka të përgatitur prej tyre.

Cupcakes @Lillypop

Cupcake që provova ishin: fëstëkë, Oreo, Nutela & banane dhe mollë & kanellë. Të gjitha llojet ishin shumë të buta, dhe secili prej tyre kishte shije tepër delikate. Përbërësit, lehtësisht të dallueshëm, i jepnin secilit cupcake personalitet.

Cupcake banane & Nutella @Lillypop

[/alert]