Recensione

S’teduktu

Kur u hap Teduktu, isha jashtë Shqipërisë dhe duke parë postimet e shpeshta me tasat shumëngjyrësh e me brunch-in, jo vetëm u bëra kurioze por edhe u mërzita pak se si nuk isha...

Kur u hap Teduktu, isha jashtë Shqipërisë dhe duke parë postimet e shpeshta me tasat shumëngjyrësh e me brunch-in, jo vetëm u bëra kurioze por edhe u mërzita pak se si nuk isha aty që ta vizitoja.

Megjithatë sapo u ktheva shkova menjëherë, madje shkova dy herë në dy orare të ndryshme, sepse doja edhe unë të përjetoja atë eksperiencën e mrekullueshme që duket se po kishin të gjithë vizitorët entuziastë të javës së parë. Nuk e pata.

***

Kur hyn tek Teduktu nuk mund të mos vlerësosh estetikën e lokalit. Më pëlqen lartësia e ambientit, më pëlqejnë zgjedhjet e mobilimit dhe kujdesi për detajet, më pëlqejnë madje edhe pjatat me mace dhe qen në tualet së bashku me sapunin e duarve. Shumë gjëra më pëlqejnë, por janë të gjitha të lidhura me pamjen, dhe askush nuk rikthehet në një lokal/restorant sepse ka një pikturë të bukur në mur. Një lokal i mirë, që i qëndron kohës dhe modës së momentit bashkë me postimet në Instagram është një lokal ku shërbehen produkte të veçanta, të përzgjedhura e përgatitura me kujdes, dhe të shërbyera nga një staf i motivuar.

Herën e parë që shkova ishte darkë dhe u habita nga zgjedhja e kufizuar e verërave dhe pijeve të tjera në banak. Një banak kaq bosh, pa koleksione pijesh e pa gotat ku do të shërbehen pijet, nuk është ogur i mirë.  Kushdo që është marrë më parë me menaxhim lokali, e ka të qartë që ajo çka gjendet pas atij banaku është burimi i vërtetë i të ardhurave, dhe jo ekspozita e pjatave të bukura me piktura.

Kërkuam një menu – nuk kishte. Kërkuam një verë franceze, nuk kishte sepse të gjitha verërat ishin të Italisë së jugut. Kërkuam ujë të gazuar me shishe qelqi – nuk kishte. Ikëm shumë më shpejt, dhe konsumuam shumë më pak se ç’kishim menduar.

U riktheva pas disa javësh për Brunch-in më të famshëm në qytet, por që nuk shërbehej ditën e shtunë kur shkova unë. Lokali ishte pothuajse bosh dhe kamarierët silleshin sikur ishim transparent. Menu vazhdonte të mos kishte, prandaj porosinë e dhamë në varësi të njohurive paraprake dhe sugjerimeve të kamarierit. Një prej miqve të mi, që kishte pak më tepër njohuri për produktet e lokalit kërkoi “Ujin e bekuar”. Ndërkohë ne arritëm t’i rrëmbenim kamarierit nja dy sugjerime për mëngjes dhe porositëm një Eggs Benedict dhe një Pancakes me matcha. Këtë të fundit e kërkuam të na shoqërohej me mjaltë dhe çokollatë, ashtu si shoqërohet një pjatë me petulla pothuaj në çdo vend të botës.

Uji i bekuar erdhi në një kanë të bukur, por nuk e kuptova nëse bekimi ishte feta e vogël e limonit dhe gjysëm gjethja e vyshkur e mentes, apo kishte ndonjë simbolikë më biblike se kaq. Ndoshta jam unë që nuk e kuptova, por kjo m’u duk një shaka.

Uji i bekuar sipas @Teduktu

Shaka @Teduktu

Pastaj erdhi pjata ime e vezëve Benedict. E bukura me recetat dhe me emrat e tyre është që nëse i ndryshon përbërësit ajo nuk quhet më ashtu. Është si të quash spagetti alla bolognese, linguinet me salcë – janë të gjata dhe të ngjashme por aspak e njejta gjë. Por për t’u kthyer tek vezët që nuk ishin Benedict, por që kishin në mënyrë krejt të panevojshme një fetë të trashë domateje mes bukës dhe vezës poshé e cila përveç se nuk i jepte asnjë shije të shtuar, arrinte të prishte edhe shijen dhe kremozitetin e vezës me salcën hollandeze. Pastaj të treja bashkë e squllnin kaq shumë bukën poshtë sa mendova se po haja Spongebob-in. Besoj është e qartë, përse ka proshutë dhe jo domate në recetën origjinale të vezëve Benedict.

Vezë (jo) Benedict @Teduktu

Së fundi, erdhën edhe Pancake me matcha. Tek kjo pjatë më erdhi shumë keq për matcha-n e çuar dëm, sepse e vetmja shije që mund të dalloje në ato pancakes ishte mielli.

Pancakes me matcha

Me një kompozim të denjë për vitet 90′, pancake-t tanë nuk kishin as mjaltë dhe as çokollatë për t’i shoqëruar.

Për fat kishim ujin e bekuar, që mundëm t’i shqisnim nga qiellëza.

Ah po, tani e kuptoj përse quhej ujë i bekuar…